Ekonomia Shqiptare regjistroi zhvillime pozitive të konsiderueshme gjatë vitit 2008. Vendi vazhdoi fuqishëm të mbante stabilitetin e tij makro-ekonomik e njëkohësisht vazhdoi në rrugën e tij të reformave strukturore duke synuar një ekonomi më efiçente dhe progres të mëtejshëm e më solid. Në përgjithësi zhvillimet ekonomike gjatë 2008 ishin tërësisht në linjë me programin afat-mesëm të parashikuar të zhvillimit ekonomik. Stimulimi i bizneseve përmes faciliteteve dhe nxitjes fiskale dhe politikave administrative ka patur një impakt pozitiv në performancën e tyre.
Vazhdimësia e përmirësimit të infrastrukturës, rinovimi i teknologjisë në sektorë të ndryshëm dhe zhvillimi i kapaciteteve njerezore i ka dhënë një shtysë planit të përgjithshëm të efiçencës së ekonomisë gradualisht duke transformuar këtë të fundit në një faktor të rritjes ekonomike.
Ekonomia regjistroi një rritje reale me rreth 7.2. përqind për vitin 2008. Si inflacioni mesatar dhe ai i fundvitit ishin më të ulëtit të rajonit, respektivisht në nivelet 3.4 dhe 2.2 përqind. Papunësia ra në 12.7 përqind dhe rrogat u rritën në mënyrë të konsiderueshme për më të shumtën e sektorëve, duke përfshirë edhe sektorin publik. Defiçiti i llogarisë korrente u rrit në nivelet 14.9 përqindje ndaj PBB-së, kundrejt 10.5 në vitin 2007. Eksportet u rritën me rreth 17 përqind dhe importet me dy pikë përqindje më pak, megjithatë për shkak të nivelit të lartë të importeve defiçiti tregtar arriti nivelin 27.5 përqind ndaj PBB-së, kundrejt 26.5 përqind të vitit 2007. Importet mund të kishin qënë më të ulëta, nëse nuk do të kishte qenë për importimin e lartë specifik të makinerive dhe paisjeve dhe materialeve të tjera të para të përdorura kryesisht në investimet për infrastrukturën publike. Rënia vjetore me rreth 12 përqind të remitancave pati gjithashtu një ndikim të konsiderueshëm në defiçitin e llogarisë korrente. Megjithatë, defiçiti korrent ishte mëse i financuar nga flukset e kapitalit të huaj, duke e çuar në një tepricë të bilancit të pagesave. Rezerva valutore e autoritetit monetar u rritën me rreth 192 milionë Euro dhe stoku i kësaj rezerve është mëse i mjaftueshëm për financimin e një niveli relativisht të sigurtë të rreth 4 muajve importe mallrash e shërbimesh. Pavarësisht rritjes së defiçitit korrent, pozicioni i përgjithshëm i jashtëm duket më pozitiv nëse merret parasysh që gjysma e defiçitit korrent është i financuar nga kapitali jo borxh-sjellës, pra nga investimet e huaja direkte (IHD). Hyrja e IHD vazhdoi të rritej konsiderueshëm edhe gjatë vitit 2009, edhe pas një rritje tepër të lartë vjetore me rreth 86 përqind në 2007. Në 2008, investimet e huaja direkte IHD u rritën me rreth 36 përqind dhe përveç të hyrave nga privatizimi, një pjesë e konsiderueshme e IHD hynë në ekonomi si investime “green-field” duke u përqëndruar në sektorë të ndryshëm prodhimi. Buxheti i qeverisë qëndrore u ekzekutua përgjithësisht në linjë me atë të planifikuar. Si mbledhja totale e të ardhurave, po ashtu dhe ekzekutimi i shpenzimeve totale ishte rreth 2.5 përqind më pak se projeksioni respektiv duke çuar drejt nivelit të planifikuar të defiçitit fiskal prej 5.5 përqind ndaj PBB-së. Të hyrat ishin një pikë përqindje të PBB-së më shumë se viti i kaluar, duke arritur nivelin 26.7 përqind të PBB-së. Të ardhurat tatimore dhe doganore kishin një mosrealizim të planit vetëm 2 përqind.
Shpenzimet korrente ishin 2.7 përqind më pak se plani dhe shpenzimet kapitale regjistruan një nivel 99.7 përqind, duke arritur nivelin më të lartë të dekadës së fundit, në rreth 8.5 përqind të PBB-së. Defiçiti prej 5.5 përqindje të PBB-së u financua nga borxhi i brendshëm në shumën 1.4 përqind të PBB-së, 0.5 përqind të PBB-së prej të hyrave nga privatizimet dhe pjesa tjetër prej 3.3 përqind e PBB-së u financua nga borxhi i jashtëm..
Rritja reale ekonomike për vitin 2009 pritet të jetë rreth 4.8 përqind, pra rreth 2 pikë përqind më pak se sa rritja potenciale prej rreth 7 përqind e ekonomisë reale. Për të minimizuar sa më tepër efektet negative të krizës nga autoritetet janë planifikuar e kanë filluar të ndërmerren një sërë masash antikrizë. Politikat monetare e fiskale janë parashikuar në një koordinim të plotë me njëra-tjetrën.
Tabela nr. 1. Dinamika historike e situatës makroekonomike në vend.
|
|
2000
|
2001
|
2002
|
2003
|
2004
|
2005
|
2006
|
2007
|
2008
|
|
Rritja reale e PBB-së
|
6.7
|
7.9
|
4.2
|
5.8
|
5.7
|
5.7
|
5.5
|
6.2
|
7.2
|
|
PBB (me çmime korente në
milionë lekë)
|
523,043
|
583,369
|
622,711
|
694,098
|
750,785
|
814,797
|
891,000
|
982,737
|
1,086,493
|
|
PBB (me çmime korente
në miliardë usd)
|
3.6
|
4.1
|
4.4
|
5.7
|
7.3
|
8.2
|
9.1
|
10.9
|
13.1
|
|
PBB ( në usd për frymë)
|
1,189
|
1,322
|
1,437
|
1,831
|
2,336
|
2,597
|
2,882
|
3,437
|
4,120
|
|
Numri i të punësuarve (në mijë)
|
1068
|
920
|
920
|
926
|
931
|
932
|
935
|
965
|
974
|
|
Përqindja e papunësisë
|
16.8
|
16.4
|
15.8
|
15
|
14.4
|
14.1
|
13.8
|
13.2
|
12.7
|
|
Përqindja e inflacionit (v/v)*
|
0.1
|
3.1
|
5.2
|
2.4
|
2.9
|
2.4
|
2.4
|
2.9
|
3.5
|
|
Deficiti i buxhetit (me grantet, në
% te PBB-se)
|
-7.6
|
-6.9
|
-6.1
|
-4.9
|
-5.1
|
-3.4
|
-3.3
|
-3.2
|
-5.5
|
|
Borxhi Publik (në % të PBB-së)
|
60.5
|
57.7
|
63.1
|
59.2
|
56.8
|
57.4
|
55.5
|
52.6
|
54.8
|
|
Borxhi i Jashtëm (në % të PBB-së)
|
17.2
|
16.4
|
21.2
|
18.8
|
17.5
|
17.2
|
16.3
|
15.1
|
17.9
|
|
Borxhi i Brendshëm (në % të PBB-së)
|
43.2
|
41.3
|
41.9
|
40.5
|
39.3
|
40.2
|
39.2
|
37.9
|
36.9
|
|
Llogaria korente (në % të PBB-së)
|
-4.7
|
-6.9
|
-9.5
|
-7
|
-5.7
|
-8.7
|
-6.5
|
-10.5
|
-14.9
|
|
Kursi mesatar i këmbimit, lek/usd
|
143.7
|
143.5
|
140.2
|
121.9
|
102.8
|
99.9
|
98.1
|
90.4
|
83.9
|
|
Kursi mesatar I këmbimit, lek/euro
|
133.5
|
127.9
|
131.9
|
137.8
|
127.8
|
124.3
|
123
|
123.9
|
122.8
|
Burimi: INSTAT, Ministria e Financave, vlerësime të FMN-së.
Burimi: Banka e Shqipërisë.
Sektori real
Në vitin 2008, ekonomia Shqiptare regjistroi një rritje reale prej 7 – 8 përqind. Rritja për vitin 2008, e vlerësuar prej treguesit të Produktit të Brëndshëm Bruto Tremujor (PBBT), regjistroi nivelin e 8 përqind [1]. Rritja u mbështet nga një performancë e mirë si e industrisë nxjerrëse dhe asaj përpunuese, një rritje të konsiderueshme në sektorin e ndërtimit i ndikuar së tepërmi nga një volum i madh i investimeve publike, si dhe zhvillimet pozitive në sektorin e bujqësisë dhe sektorin e energjisë pas një viti të vështirë. Po ashtu edhe shërbimet si telekomunikacioni, aktivitet financiare dhe arsimi, shënuan një rritje domethënëse në 2008.
Përsa i përket kërkesës agregate të ekonomisë, ajo manifestoi investime të larta, të nxitura këto nga investimet publike dhe nga investimet teknologjike të sektorit privat të kryera si nga investitorët e brendshëm ashtu dhe ata të huaj, një ritëm normal rritje të konsumit dhe një rritje më të lartë në eksportin e të mirave në krahasim me atë të importeve. Megjithatë, si rezultat i një baze të lartë të importeve, eksportet neto të të mirave dhe shërbimeve vazhduan të kishin një kontribut negativ në rritjen ekonomike me rreth - 3.5 pikë përqind nga - 5.2 që ishte në vitin 2007.
Nga ana tjetër, këto zhvillime pozitive gjatë vitit 2008 mbështeten gjithashtu edhe nga indekse të tjerë afat-shkurtër (tremujorë), si ai i Shifrës së Afarizmit, indeksi i Numrit të të Punësuarve dhe indeksi i Fondit Total të Pagave. Indeksi i Shifrës së Afarizmit [2] tregon qartë për një normë rritjeje më të lartë të shitjeve të realizuara nga bizneset gjatë vitit 2008 thuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë që mbulon ky indeks, përjashtuar industrinë nxjerrëse e cila ka patur një ritëm rritjeje dukshëm më të ulët se dy vitet paraardhëse dhe madje gjatë tremujorit të katërt të vitit 2008, shitjet në këtë sektor kanë qenë më të ulta se e njëjta periudhë e një viti më parë. Kjo lidhet si me zhvillimet e kësaj industrie një vit më parë, ku gjatë vitit 2007 kjo industri regjistroi një bum të prodhimit dhe shitjeve, ashtu dhe me krizën ndërkombëtare gjatë vitit 2008 e sidomos gjatë fundit të vitit e cila ka reduktuar ndjeshëm kërkesën e vendeve partnere tregtare në lidhje me këtë industri.
Në të njëjtën kohë, gjatë vitit 2008 evidentohen zhvillime mjaft pozitive edhe në tregun e punës. Duke iu referuar Indeksit të Numrit të të Punësuarve dhe Indeksit të Fondit të Pagave [3], rezulton se numri total i njerëzve të punësuar nëpër sektorët/aktivitetet e ekonomisë të përfshira nga këto indekse është rritur mesatarisht me 14 përqind gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2008, ndërkohë që fondi i pagave ka patur një rritje me rreth 31 përqind duke lënë të kuptohet për një rritje të pagave reale. Gjithashtu në linjë me këto tregues statistikor janë dhe tregues të tjerë të bazuar në të dhëna administrative.
Referuar këtyre treguesve norma e papunësisë ndoqi një tendencë rënëse gjatë 2008. Në fund të vitit 2008, norma e papunësisë ra në nivelin e 12.7 përqind nga 13.2 përqind që shënonte në fund të vitit 2007. Numri i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor u rrit me rreth 9,000 persona ose me rreth 4 përqind krahasuar me vitin 2007. Ndërsa rritja më e lartë e numrit të të punësuarve rezulton në sektorin privat bujqësor ku gjatë vitit 2008 ky sektor ka punësuar rreth 26,500 punonjës më tepër se një vit më parë ose në terma relativ rreth 5 përqind më tepër. Ndërsa numri i të punësuarve në sektorin shtetëror ka qënë pak a shumë në të njëjtat nivele, me rreth 500 punonjës më pak gjatë vitit 2008. Paga mesatare mujore në këtë sektor është rritur me rreth 7.5 përqind, ndërsa ajo minimale bazë ka patur një rritje prej rreth 21.5 përqind përgjatë vitit 2008. Në të njëjtën kohë, numri i personave të papunë është paksuar me rreth 1 përqind ndërkohë që numri i atyre që përfitojnë pagesë papunësie është rritur me rreth 4 përqind.
As PBBT, as ndonjë tregues tjetër statistikor (psh: Indeksi i Shitjeve, Indeksi i Prodhimit, Indeksi i Shifrës së Afarizmit) nuk shfaqin evidenca domethënëse të ndonjë ngadalësimi të rritjes së përgjithshme ekonomike gjatë tremujorit të fundit të 2008. PBB-ja u rrit me 2.5 përqind gjatë tremujorit të fundit të vitit në krahasim me tremujorin paraardhës. E njëjta statistikë ishte 2 përqind në vitin 2007 dhe me 0.8 përqind në 2006. Në terma vjetorë PBB për tremujorin e katërt regjistroi një rritje prej 8.6 përqind. E njëjta shifër ishte në nivelin 8.1 përqind në vitin 2007 dhe 7.3 në vitin 2006. Megjithatë, në industrinë nxjerrëse vihet re një ngadalësim i dukshëm gjatë tremujorit të fundit të vitit 2008, e lidhur kjo si me rënien e kërkesës së huaj për këto produkte, ashtu dhe me një rënie të çmimit të mineraleve apo produkteve kryesore që kjo industri eksporton.
Në pritje të publikimit të treguesve afatshkurtër statistikor që paraqesin performancën e sektorit real gjatë tremujorit të parë të 2009, duke analizuar disa indikatorë “indirekt” të performancës së taksave, si psh TVSH-ja, Tatimi mbi Të Ardhurat Personale dhe Akciza të mbledhura nga administrata e tatimeve (taksa mbi prodhimin dhe konsumin e brendshëm dhe sinjifikativisht të korreluara me këto variabla) nuk vërehet akoma ndonjë evidencë e qartë për një ngadalësimin të prodhimit të brendshëm (të paktën në prodhimin e konsumuar brenda vendit – duke përjashtuar eksportet ).
Në tremujorin e parë të ardhurat nga TVSH bruto (e pazhveshur nga TVSH e rimbursueshme) regjistruan një rritje vjetore 11 përqind dhe rreth 10.7 përqind në terma neto. Tatimi mbi Të Ardhurat Personale u rrit me 25 përqind. Gjithashtu një rritje prej 19 përqind u regjistrua në të ardhurat nga Akciza të mbledhura nga prodhimi vendas i mallrave me akcizë.
Eksporti i të mirave shënoi një rënie vjetore prej 5 përqind në tremujorin e parë [4], pa përfshirë 830 milionë Lekë eksport të energjisë elektrike. Një ngadalësim i rritjes mund të supozohet edhe tek ato sektorë shërbimesh të lidhura direkt me tregtinë me jashtë, si tregtia dhe transporti. Importet ranë me 4 përqind gjatë tremujorit të parë.
Duke iu referuar Statistikatve të Tregtisë së Jashtme gjatë dy muajve të parë importet u paksuan me 4.4 përqind në terma vjetor. Karburantet dhe energjia elektrike u ulën me rreth 30 përqind, duke dhënë një kontribut negativ prej - 6 pikë përqindje në rënien totale të importeve. Sasia e karburanteve të importuara ishte 2 përqind më e lartë, por vlera e tyre e importimit ra si rezultat i një rënieje të shpejtë të çmimeve, duke implikuar nga ana tjetër për një kosto më të ulët dhe vlerë të shtuar më të lartë për njësi outputi. Importi i ulët i energjisë elektrike pati gjithashtu një ndikim të konsiderueshëm në reduktimin e nivelit të importeve, duke sjellë një rritje të vlerës së shtuar në ekonomi.
Importi i të mirave të përdorura në procesin e prodhimit regjistroi një rritje të dukshme, duke lënë të kuptohet për një qëndrueshmëri të rritjes së prodhimit dhe shitjve të brendshme. Importet e kimikateve dhe produkteve plastike u rritën me 14 përqind duke dhënë një kontribut në importet totale prej 1.3 pikë përqindjeje dhe materialet e ndërtimit dhe metalet u rritën me 20 përqind, duke kontribuar kështu në nivelin total të importeve me 2.7 pikë përqindjeje.
Viti 2008 përbën një nga periudhat me ecuri të lartë për sa i përket prodhimit dhe konsumit të energjisë elektrike. Nga një vështrim i shpejtë mbi statistikat e prodhimit dhe përdorimit të energjisë, bie në sy se ende mbizotëron konsumi familjar i energjisë i cili së bashku me humbjet në rrjet, përbën 67 për qind të energjisë së përdorur gjithsej.
Gjatë këtij viti prodhimi në vend të energjisë elektrike dhe në mënyrë të veçantë në prodhimin prej hidrocentraleve, ka qënë në nivlet maksimale, gjë e cila ndërmjet të tjerash u shkaktua si rezultat i kushteve mjaft të favorshme atmosferike si dhe mirëmenaxhimi i mirë i sistemit përgjatë vitit. Megjithatë është evidentuar edhe një herë domosdoshmërina për ndërtimin e burimeve të reja energjitike alternative. Rritja e imunitetit të ekonomisë ndaj burimeve hidroenergjitike përbën një përparësi të madhe kombëtare të natyrës strategjike.
Inflacioni
Niveli mesatar i inflacionit gjatë 2008 ishte 3.4 përqind, duke qënë sërish në intervalin e targetuar prej 3 ± 1 përqind të Bankës së Shqipërisë. Gjatë muajit të parë të 2008, u shfaqën sërish presione inflacioniste, të njëjta me të një viti më parë. Si rrjedhojë e rritjes së çmimeve të disa prej të mirave të importuara, niveli mesatar i inflacionit shënoi vlerën 4 përqind gjatë gjysmës së parë të vitit 2008. Më tej, gjatë gjysmës së dytë të vitit 2008, rënia e çmimeve të materialeve të para në tregjet e huaja dhe kontributi pozitiv i produkteve të agrikulturës vendase, lehtësuan ndikimin inflacionist në vend. “Lehtësimi” i çrregullimeve që vijnë nga krahu i ofertës po ashtu dhe qëndrueshmëria makroekonomike ndihmoi në normalizimin e inflacionit në kufijtë e toleruar. Inflacioni i fundvitit shënoi nivelin e tij më të ulët për vitin 2008 prej 2.2 përqind. Në linjë me zhvillimet inflacioniste në ekonomitë ndërkombëtare, inflacioni gjatë tremujorit të parë ka treguar një trend në rënie. Inflacioni mesatar vjetor i tremujorit të parë 2009 ishte 1.9 përqind. Nga ana tjetër Leku pësoi një nënçmim gjatë tremujorit të parë dhe shfaqi paqëndrueshmëri. Nënçmimi i Lekut me rreth 5 përqind ndaj Euros. Gjatë Marsit Leku u stabilizua.
Ecuria e inflacionit gjatë vitit 2008 reflektoi nivelin e lartë të çmimeve të disa produkteve ushqimore bazë si dhe rritjen e mëtejshme të çmimit të naftës. Në tremujorin e katërt dhe veçanërisht në tremujorin e tretë, kushtet më të favorshme të motit rritën ofertën vendase, duke ushtruar presion në drejtim të uljes së çmimeve për një pjesë të produkteve ushqimore të papërpunuara të sezonit. Nga ana tjetër, norma e inflacionit gjatë pjesës së dytë të vitit pasqyroi efektin global të rënies së çmimeve të disa artikujve të përdorimit të gjerë, kryesisht mallrave ushqimore dhe karburanteve. Inflacioni i ulët pothuajse për të gjithë kategoritë e grupmallrave dha ndikimin e tij në inflacionin total gjatë pjesë pjesës së dytë të vitit 2008.
Rënie më të ndjeshme gjatë pjesës së dytë të vitit 2008 u konstatuan në kategoritë e grupmallrave “Ushqime të përpunuara”, e cila erdhi si rezultat i rënies së presioneve inflacioniste nga tregjet ndërkombëtare si dhe rënies së çmimit të bukës për këtë periudhë. Megjithëse kjo kategori grupmallrash vazhdon të japë efektin kryesor në normën e përgjithshme të inflacionit, gjatë fundit të vitit 2008 u vu re një përgjysmim i këtij kontributi krahasuar me periudhën shkurt – qershor. Inflacioni vjetor i kategorisë së grupmallrave “Ushqime të papërpunuara” ka shënuar vlera negative gjatë gjithë vitit, duke rënë mesatarisht me 2.3 pikë përqindjeje që nga dhjetori i vitit 2007.
Gjatë vitit 2008 shohim një rritje të çmimeve për grupin “Shërbime” e cila u shkaktua si pasojë e rritjes së çmimeve të shërbimeve hoteleri dhe restorante, si dhe në veçanti të çmimeve të shërbimeve të transportit shkaktuar nga kriza e fillim vitit të çmimeve të naftës.
Kategoria “Strehimi” ka shënuar norma të ulëta përgjatë vitit 2008. Gjë e cila ka ardhur si rezultat i qëndrueshmërisë së çmimeve të qirasë, të cilat janë ndikuar vazhdimisht nga ndryshimet në çmimet në tregun e banesave duke pasqyruar kështu dhe situatën që ka mbizotëruar në treg përgjatë vitit 2008.
Çmimet e “Mallra të administruar” u rritën mesatarisht me 3.6 për qind gjatë pjesës së dytë të vitit 2008. Inflacioni vjetor i këtij grupi ka ardhur në rënie që prej marsit, menjëherë pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Në tremujorin e dytë rritja ishte mesatarisht 6.2 për qind ndërsa në tremujorin e fundit të vitit kjo rritje ra në nivelin 2 për qind, si rezultat i uljes së çmimeve në zërin “komunikimi” me rreth 19.2 për qind.
Grupet e tjera që kanë kontribuar në uljen vjetore të inflacionit kanë qenë “Mallra të konsumit afatgjatë” dhe “Mallra konsumi jo ushqimorë” çmimet e të cilave kanë pësuar rënie gjatë gjithë pjesës së dytë të vitit 2008.
Kursi i këmbimit
Ecuria e kursit nominal efektiv të këmbimit ka pasqyruar një gamë të gjerë zhvillimesh gjatë vitit 2008. Monedha vendase ka vijuar të forcohet kundrejt shportës së valutave kryesore gjatë periudhës janar-prill, duke kulmuar në muajin prill (6.2 për qind në terma vjetorë). Ndërkohë, dy tremujorët pasardhës kanë reflektuar një ngadalësim të ritmeve të rritjes vjetore (1.4 për qind në muajin shtator), duke kaluar në kahun nënçmues në tremujorin e fundit të vitit (mesatarisht -3.2%).
Nënçmimi i lekut kundrejt monedhave kryesore, nënkupton një zbehje relative të efektit amortizues që ka luajtur deri tani kursi i këmbimit ndaj inflacionit të importuar. Në terma vjetorë leku është nënçmuar kundrejt dollarit amerikan dhe monedhës evropiane respektivisht me 13.1 për qind dhe 1.2 për qind në tremujorin e katërt. Kursi mesatar i këmbimit të lekut për vitin 2008 ishte 83.89 usd/lekë dhe 122.80 euro/lekë
Normat e interesit në tregun ndërbankar kanë shfaqur tendenca rritëse në gjashtëmujorin e dytë të vitit dhe kanë treguar luhatshmëri, kryesisht gjatë muajve shtator-nëntor. Gjatë kësaj periudhe sistemi bankar ka vazhduar të karakterizohet nga mungesa e likuiditetit. Banka e Shqipërisë ka injektuar likuiditet nëpërmjet operacioneve të saj në treg të hapur me anë të marrëveshjeve të anasjellta të riblerjes me afat javor.
Sektori i jashtëm
Ekonomia shqiptare gjatë vitit 2008 njohu një bilanc pozitiv pagesash. Viti 2008 regjistroi në Bilancin e Përgjithshëm të Pagesave, një rritje të rezervës valutore me 192 milionë Euro. Llogaria korente regjistroi një deficit prej 1,319 milionë Eurosh, krahasuar me 831 milionë Euro, të vitit të kaluar. Defiçiti korent në përqindje ndaj PBB-së, gjatë 2008 ishte 14.9 %, duke shënuar një rritje të ndjeshme ndaj nivelit 10.5 % të 2007. Ky defiçit nxjerr në pah kryesisht defiçitin e lartë në mallra (nga 2,104 milionë Euro, në 2,432 mln €). Defiçiti tregtar në përqindje ndaj PBB-së, për vitin 2008 vlerësohet të jetë 27.5 % nga 26.5 % të vitit 2007. Eksportet shënuan një rritje vjetore prej 17 % duke arritur në 918 milionë Euro, ndërsa importet ishin rreth 15 % më tepër se viti i kaluar. Shkalla e mbulimit të importeve nga eksportet mbeti e pandryshuar në nivelin 27 %. Tremujori i katërt ka regjistruar defiçitin më të lartë tregtar përgjatë vitit (741 milionë Euro), gjë e cila ka qenë dhe një prej faktorëve në zhvlerësimin e lekut kundrejt euros gjatë muajve të parë të vitit 2009. Pagesat për importe janë rritur në mënyrë të veçantë për grupet, makineri dhe pajisje (24 %), mallra të përpunuar (12 %) dhe lëndë djegëse (26 %). Vlera e importeve të këtyre tre kategorive shënoi rreth 60% të vlerës së përgjithshme të importeve. Pra faktorët kryesorë në rritjen e importeve e rrjedhimisht në thellimin e deficitit të llogarisë korrente lidhen kryesisht me një aktivitet mjaft të lartë të biznesit i cili ka vazhduar të rrisë investimet kapitale dhe kërkesën për të mira të përdorura në procesin e prodhimit. Gjatë vitit 2009 pritet të ketë një reduktim në importet e disa prej këtyre të mirave, si në ato kapitale dhe ato energjitike duke çuar kështu në nivele normale bilancin tregtar dhe deficitin e llogarisë korrente. Eksportet nga industria e tekstileve dhe e këpucëve pësuan një rënie të lehtë, por vazhdojnë të renditen të parat duke siguruar 43 % të të ardhurave të përgjithshme nga eksportet. Ndërkohë, zhvillime pozitive ka regjistruar eksporti nga prodhimi i brendshëm i produkteve minerale dhe metaleve.
Transfertat korente neto u vlerësuan në rreth 934 milionë Euro, nga të cilat rreth 833 milionë Euro kanë hyrë në formën e dërgesave të emigrantëve. Këto të fundit shënuan një rënie vjetore prej rreth 12 % nga vlera prej 950 milionë Eurosh e një viti më parë, duke zbritur nga 12 %, në 9.4 % të PBB-së.
Llogaria Financiare gjatë vitit 2008 është karakterizuar nga lëvizje të mëdha, të cilat rezultuan në një prurje neto prej 1,533 milionë Eurosh. Nga këto, rreth 78 milionë Euro kanë hyrë në vend në formën e granteve për investime kapitale, ndërsa 1,455 milionë Euro kanë hyrë në formën e flukseve financiare neto. Flukset hyrëse të kapitalit kanë financuar plotësisht deficitin korent prej 1,319 milionë Eurosh, duke siguruar një rritje të mjeteve të rezervave valutore me 192 milionë Euro. Llogaria financiare, lëvizjet më të mëdha, i regjistroi në zërat e investimeve të huaja direkte, huamarrjes shtetërore dhe mjeteve të rezidentëve jashtë. Hyrjet në formën e investimeve të huaja direkte në ekonominë shqiptare (653 milionë Euro) ishin një faktor dominues në rritjen e flukseve hyrëse të kapitalit. Këtë vit këto investime kanë hyrë kryesisht si investime në sektorin financiar, atë të telekomunikacionit dhe si kapital nga privatizimi.
Gjatë vitit 2008, lëvrimet e kredive afatgjata dhe atyre të buta nga jashtë, vlerësohen të jenë 463 milionë Euro, nga të cilat 74 % kanë për shkuar sektorin publik kryesisht për investime publike.
Mjetet valutore të investuara jashtë ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2008, kanë regjistruar një rënie neto prej 94 milionë Eurosh. Kjo rënie vihet re kryesisht në investimet në formën e depozitave të sistemit bankar në institucionet financiare jorezidente. Sistemi bankar gjatë vitit 2008 ka zgjedhur zhvendosjen e mjeteve nga depozitat, në investime portofoli. Mjetet financiare, në formën e investimeve të portofolit kanë shënuar një rritje vjetore prej 69 milionë Eurosh.
Flukset hyrëse të mjeteve valutore në formën e kapitaleve financiare u reflektuan në rritje të rezervave valutore të autoritetit monetar. Mjetet e rezervës valutore u rritën me 192 milionë Euro. Stoku i rezervës valutore në fund të vitit 2008 shënoi nivelin 1,695 milionë Euro, mjaftueshëm për mbulimin e 4.2 muajve importe të mallrave dhe shërbimeve.
Sektori fiskal
Në paralel me reformat strukturore, politika fiskale gjatë vitit 2008 ka qenë stimuluese, duke ulur barrën e taksave dhe duke rritur investimet publike. Kështu gjatë vitit 2008 tatimi mbi fitimin u përgjysmua dhe lufta kundër konkurrencës së padrejtë/evazionit fiskal u thellua. Përgjysmimi i tatimit të fitimit ka qënë një mbështetje e madhe për bizneset, pasi ai ka bërë të mundur që ata të paguajnë për buxhetin e shtetit rreth 18 miliardë leke më pak nga ajo që do të paguanin në qoftë se tatimi nuk do kishte ndryshuar (prej nivelit 20 për qind). Ndërsa investimet publike kanë pësuar një rritje të ndjeshme, kryesisht për infrastrukturë rrugore. Rritja e investimeve publike u bë e mundur për shkak të rritjes së të ardhurave tatimore—rezultante e luftës ndaj evazionit fiskal—dhe huamarrjes së huaj. Ndërsa huamarrja e brendshme në përqindje të PBB ishte e njëjtë me atë të vitit 2007, duke siguruar edhe njëherë që rritja e investimeve publike nuk do të ndikonte negativisht kreditimin e sektorit privat.
Të Ardhurat Buxhetore gjatë vitit 2008
Të ardhurat buxhetore në vitin 2008 arritën në 290 miliard leke, ose 26.71 për qind e PBB, krahasuar me 25.77 perqind e PBB në vitin 2007. Krahasur me nivelin e vitit 2007, të ardhurat buxhetore janë rritur me 15.3 përqind, ritmi më i lartë gjatë dekadës së fundit—rreth 5.5 përqind pikë më lartë se mesatarja e 2001-2007.
Të ardhurat tatimore për vitin 2008 arritën në 264 miliarde lekë nga 270,9 miliard lekë të planifikuara, duke rezultuar me një mosrealizim prej rreth 6,9 miliardë lekë ose 97.46 përqind e planit. Krahasuar me 2007 ato rezultojnë 35.9 miliardë lekë më shumë, pra me një rritje prej 15.7 përqind, edhe pse në kushtet e përgjysmimit të tatimit të fitimit.
Të ardhurat nga TVSH për vitin 2008 kanë arritur në rreth 107 miliardë lekë, nga 106,9 miliard lekë të planifikuara, pra me një realizim të planit me 100.18 përqind ose 190 milion lekë. Krahasuar me 2007 këto të ardhura janë rritur me rreth 19.3 miliarde lekë, ose me 22 përqind. Në përqindje të PPB këto të ardhura janë rritur në 9.8% te PPB në vitin 2008 nga 9 % e PPB me vitin 2007, apo 7.9% e PBB në vitin 2005 dhe 7.4% në vitin 2002.
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin në vitin 2008 arritën në 18.1 miliard lekë, krahasuar me 21 miliard lekë që ishin në vitin 2007, pra rreth 14 përqind më pak në kushtet kur norma e tatimit u përgjysmua. Kjo do të thotë që përmirësimi administrativ, ose me saktë ulja e evazionit fiskal në pagimin e tatimit mbi fitimin ka qënë më shumë se 50 përqind. Megjithatë përgjysmimi i tatimit mbi fitimin ka qënë një ndihmesë e madhe për biznesin. Kështu, në qoftë se do të bënim një analizë duke supozuar që norma e tatimit të fitimit do të ishte e njëjtë me ata të vitit 2005, të ardhurat buxhetore në vitin 2008 nga tatimi mbi fitimin do të ishin mbi 40 miliard leke. Ose e shprehuar ndryshe, për shkak të uljes së tatimit të fitimit nga 23 përqind në 2005 në 10 përqind në 2008, biznesi ka përfituar rreth 30 miliard leke. Krahasuar me nivelin e planifikuar për vitin 2008, ato janë realizuar në masën 98. Plani i vitit 2008 është realizuar në masën 98.3 përqind, me diferencë prej 312 milion lek.
Të ardhurat nga akcizat në 2008 arritën në 32.5 miliarde lekë nga 28.7 miliardë lekë të planifikuara, duke pasur një realizim prej 91.6 përqindje të planit, pra më një mosrealizim prej 2.9 miliard lekë. Krahasuar me 2007, të ardhurat nga akcizat u rritën me rreth 3.7 miliarde lekë, duke mbetur në të njëjtin nivel me vitin 2007 prej 2.9 përqindje e PBB. Pavarësisht mosrealizimit të planit, zhdoganimi i cigareve në vitin 2008 është rritur me 19.5 përqind krahasuar ose 676 ton me vitin 2007, duke arritur në 4,143 ton.
Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në 24,4 miliard lekë, ose 1,1 miliard lekë më shumë se plani, pra me një realizim prej 104.78 përqind. Për vitin 2008 të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale kanë arritur në 2.24 përqind të PBB, nga 1.5 përqind e PBB në vitin 2007, se 0.9% e PBB në vitin 2005 ose 1% e PBB në vitin 2002, duke shënuar kështu rritjen më të madhe të këtij zëri gjatë viteve të fundit.
Në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar këto të ardhura kanë ruajtur trendin e tyre rrites, duke rezultuar me një rritje prej 9.5 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin 2007. Ndërsa, krahasuar me vitin 2005 ato janë rritur me mbi tre herë.
Të ardhurat nga taksat doganore në vitin 2008 arritën në rreth 8,6 miliardë lekë nga 9,4 miliard lekë të planifikuara, duke rezultuar me nje mosrealizim, prej 751 milionë lekë, ose 92.02 përqind e planit. Edhe në krahasim me vitin e kaluar këto të ardhura janë ulur me rreth 1.1 miliarde lekë.
Të ardhurat nga taksat nacionale, përfshirë edhe taksën e qarkullimit, janë realizuar në nivelin 14.4 miliard lekë nga 16,2 miliardë të planifikuara, ose me realizim vjetor prej 88.96%%, ose 1.7 miliard lekë më pak. Në këtë mosrealizim ndikim ka pasur edhe ndryshimi i ligjit mbi taksat kombëtare në mesin e vitit 2008 i cili reduktoi nga 21 taksa kombëtare në 6 të tilla
Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore për vitin 2008 janë mbledhur 47,6 miliardë lekë nga 48,15 miliard lek të planifikuara, ose 565 milionë lekë më pak (98.83% e planit të realizuar).
Krahasuar me një vit më parë, gjatë 2008 janë mbledhur rreth 5.5 miliardë lekë më shumë nga kontributet e sigurimeve shoqërore, ose 13 përqind. Edhe për vitin 2008, këto te ardhura mbeten në nivelin e 4.4 % e PBB-së, si edhe në vitin 2007.
Të ardhurat jo tatimore arritën shumën 22,9 miliardë lekë nga 24,7 miliarde lekë të parashikuara, duke rezultuar me një realizim prej 92.69 përqind të planit vjetor ose 1.8 miliardë lekë më pak. Në krahasim me të njëjtën periudhë, vitin e kaluar të ardhurat jo tatimore janë rritur me 764 milionë lekë.
Të ardhurat nga Doganat
Të ardhurat nga TVSH janë realizuar vetëm me 89.12 perqind, nga 11.6 miliardë lekë të planifikuar në 10.3 miliard leke, ose me rreth 1.27 miliardë lekë më pak se plani.
Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ato rezultojnë me 260 milion lekë më pak. Rënia e importeve me 17 përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të 2008 ka ndikuar drejtpërdrejtë në të ardhurat nga TVSH, megjithatë rënia e tyre është vetëm 2.4 përqindje—tregues që tregon për përmirësim të strukturës së importeve.
Të ardhurat nga taksa doganore janë realizuar 8 përqindje më të larta se niveli i planifikuar: ato arritën në 991 milionë lekë nga 914 milionë lekë të planifikuara. Ulja e tarifave doganore për shkak të angazhimeve të hapjes së ekonomisë shqiptare janë reflektuar me një ulje prej 435 milionë lekë të të ardhurave nga taksa doganore krahasuar me të njëjtën periudhë të 2008.
Të ardhurat nga Akciza arritën në rreth 3 miliardë lekë nga 3,6 miliardë lekë të planifikuara, duke realizuar planin me 82.33 përqindje, ose 641 milionë lekë më pak se parashikimi. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ato janë 203 milionë lekë më të larta.
Realizimi i të ardhurave gjatë periudhës Janar – Shkurt 2009
Të ardhurat nga Tatimet
Të ardhurat nga Tatimet janë realizuar në masën 99.4 përqind për taksat dhe tatimet dhe në masën 104.23 përqindje për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Në total të ardhurat nga tatimet arritën 25.3 miliardë lekë, ku 8.9 miliardë lekë i përkasin kontributeve për sigurime shoqërore dhe shëndetësore.
Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në 4 miliardë lekë nga 3.4 miliardë lekë të planifikuara, pra 18 përqindje mbi planin. Krahasuar me vitin e kaluar janë rritur me 29 përqindje.
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin arritën rreth 2,4 miliardë lekë nga 2,8 miliardë të planifikuara: rreth 391 milionë lekë më pak se plani ose 86 përqindje e planit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë të ardhurat nga kjo taksë kanë pësuar një rritje prej 264 milionë lekë ose 12 përqindje më shumë.
Të ardhurat nga taksat nacionale janë 2,4 miliardë lekë nga 2,3 miliardë lekë të parashikuara për periudhën, ose 104.17 përqindje e planit. Duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky grup taksash ka pësuar një rritje të lehtë prej 61milion lekësh. Krahasimi i ecurisë me vitin e kaluar nuk është plotësisht i saktë sepse grupi i taksave nacionale për 2009 përfshin vetëm një pjesë të atyre të përfshira në këtë grup në vitet e mëparshme.
Të ardhurat nga Akciza rezultojnë me realizim prej 68.5 përqindje e planit. Ato arritën në 1,3 miliardë lekë nga 1,9 miliardë lekë të planifikuara ose 622 milionë lekë më pak. Të ardhurat e mbledhura këtë vit janë edhe më të ulëta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, me rreth 198 milionë lekë ose 13 përqindje.
Të ardhurat nga TVSH arritën në 6,2 miliardë lekë nga 6 miliardë lekë të planifikuara, ose 103.01 përqindje të planit. Në krahasim me të njëjtën periudhë të 2008, ato janë rritur me 620 milionë lekë ose 11 përqindje.
Masat e marra në drejtim të krizës financiare
Situata jo e mirë ekonomike që pritet për një numër të konsiderueshëm të ekonomive më të mëdha botërore, sigurisht që përbën një risk potencial edhe për ecurinë ekonomike të vendit tonë. Megjithatë, këtu duhet theksuar që pika e fortë apo promotori kryesor i zhvillimit ekonomik të Shqipërisë qëndron në tregun dhe në aktorët ekonomik të brendshëm, gjë e cila e vendos ekonominë shqiptare në një pozicion relativisht të mbrojtur ndaj zhvillimeve ndërkombëtare jo të favorshme.
Politika fiskale e ndjekur gjatë kësaj periudhe ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë plotësisht e fokusuar në minimizimin efekteve negative që prekin ekonominë tonë. Kjo politikë është e koordinuar plotësisht me atë monetare me qëllim përftimin e një miksi optimal politikash makroekonomike.
[1] Treguesi i ri statistikor publikuar prej INSTAT. Rritja vjetore e vivit 2008 llogaritur mbi të dhënat e PBBT të pa zhveshura nga efektet sezonale rezulton 7.6 përqind.
[2]Indeksi i Shifrës së Afarizmit llogaritet mbi bazёn e Anketёs Tremujore te Ndёrmarrjeve (ATN) tё realizuar nga INSTAT dhe mat ecurinë e shitjeve të bizneseve. Ky indeks paraqitet në terma volumi, pra i zhveshur nga efektet e ndryshimit të çmimeve
[3] Këto indekse vlerёsohen nga INSTAT mbi bazёn e ATN dhe masin përkatësisht ndryshimin nё numrin e tё punёsuarve dhe në fondin e pagave nё çdo tremujor.
[4] Referuar të dhënave operative nga administrata doganore
|